Lajçak i pret Bislimin e Petkoviqin që t’i shkojnë “mendjehapur” në bisedimet e radhës për dinarin

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të pres kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur zgjidhje rreth vendimit të BQK-së për dinarin.


Në një postim në llogarinë e tij në Facebook ku i ka përmbledhur vizitat që ka zhvilluar gjatë javës së shkuar, ai deklaroi se pret që palët të shkojnë në takimin në Bruksel me mendje të hapur.

“Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”, shkroi ai, transmeton Klankosova.tv.

Lajçak potencoi se gjatë javës së shkuar ka vizituar katër vende të ndryshme dhe tashmë është nisur për në Bosnje-Hercegovinë.

Takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut u zhvillua më 4 prill.

Palët nuk arritën të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas këtij takimi që ishte i treti me radhë.