Në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”


Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vendosën buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë.

Kosova po shënon Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në kujtim të tyre, masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti në fillim të fjalës.

Në historinë e luftës së Kosovës, kryeministri theksoi se masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja.

“Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë’’, u shpreh ai.

Teksa risolli në kujtesë ngjarjen e dhimbshme të Mejes, ai tha se “sot do të donte që nga aty, nga Meja, ku 25 vite më parë është kryer masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, të flasë edhe për një luftë tjetër, një luftë të papërfunduar: luftën për luftën e Kosovës”.