Masakroi bashkëjetuesen me thikë në 2022 në Elbasan, burg të perjetshëm për autorin

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin, i cili masakroi bashkëjetuesen e tij nga xhelozia.
Bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur më datë 30.07.2022, rreth orës 00:53, ku në lagjen Skëndërbej, Elbasan, Ramiz Mici ka vrarë me thikë bashkëjetuesen e tij, Jetlira Elezin, nënë e dy fëmijëve.


Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri Ramiz Mici, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, dhënien e një mase dënimi më të butë në minimumin e parashikuar nga K.Penal..
Në përfundim të gjykimit, më datë 28.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fuat Vjerdha dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe z. Genti Dokollari, vendosi lënien në fuqi të vendimit (burgim i perjetshem) të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 13-2023-2613 (364), datë 26.07.2023 ka vendosi:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit R. M për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’’, të parashikuara nga neni 79/c i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me burgim të përjetshëm.

-Vuajtja e dënimit për të pandehurin R. M fillon nga dita e arrestimit në flagrancë datë 31.07.2022 dhe dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.