Kurti në Gjakovë, viziton shtëpinë ku lindi mësuesja e tij e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar mëngjesin e së enjtes familjen Dobruna në Gjakovë, në shtëpinë në të cilën është lindur mësuesja e tij e parë Nafije Dobruna Deva.


Kurti ka thënë se përmbledhur kujtime të shumta e të paharrueshme me vajzën e mësueses, Afërditën në shtëpinë e vjetër më shumë se dy shekuj, e ku tani banon Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave.

“Mësuesja Nafije ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë: sado nxënës i mirë të kesh qenë, asnjë pesëshe nuk ka qenë e kollajshme. Ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm për arsimimin, edukimin e formimin tim, krahasueshëm me nënën time”, ka shkruar kryeministri në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje nga vizita.

Ai më tej ka folur për jetën e mësueses së tij, duke thënë se ka qenë e vështirë pasi është rritur jetime nga nëna e saj, Qazimja.

“Jeta e saj ka qenë e vështirë. Babai, Ismaili, i internuar për dy vjet në burg në Vjenë si NDSh-ist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës bie në varfëri meqë pushteti i atëhershëm ia rrëmben pasurinë. Ai vdes pak vjet më pas. Nëna, Qazimja i rrit pesë fëmijë jetim. Më e madhja, Nafija, e mbaron Shkollën Normale dhe bëhet mësuese”.

Kurti ka treguar se përveç një buqete me lule, Afërditës ia ka dhuruar edhe fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982.

“Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra. Falënderoj familjen Dobruna për mikpritjen e përzemërt në Ditën e Mësueses. Urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!”, është shprehur ai.