Karabinierë nga Moldavia do t’i bashkohen KFOR-it

Karabinierët nga Republika e Moldavisë do të marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse në Kosovë, KFOR. Projekti që e përcakton këtë është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.


Në këto operacione do të dërgohen tre ushtarë nga Inspektorati i Përgjithshëm i Karabinierëve, ndërsa përzgjedhja, emërimi dhe trajnimi i tyre do të fillojë më 1 prill, tha ministri moldav i Punëve të Brendshme, Adrian Efros.

“Pjesëmarrja e Karabinierëve në misionet dhe operacionet ndërkombëtare është e rëndësishme për Republikën e Moldavisë, duke siguruar përmbushjen e angazhimeve në përputhje me Kartën e OKB-së, traktatet me Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare ose shtete të treta. Kjo përfaqëson një kontribut për ruajtjen e paqes ndërkombëtare, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe të shtetit të së drejtës”, ka thënë ministria e brendshme moldave në një njoftim për media.

Karabinierët do të caktohen dhe përgatiten për operacione ndërkombëtare për një periudhë prej 6 deri në 12 muaj, sipas një vendimi të miratuar sot nga Qeveria e këtij vendi.

Gjatë këtij misioni, karabinierët do të marrin 50 dollarë në ditë (46 euro), ndërsa mësohet se nga buxheti i shtetit në total janë ndarë mbi 40 mijë euro, ku përfshihet edhe sigurimi mjekësor i ushtarakëve.