Hovenier përkujton Albrightin në dyvjetorin e vdekjes: Sot nderojmë një mike të vërtetë të Kosovës

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka kujtuar ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në përvjetorin e dytë të vdekjes.


Hovenier tha se sot e nderojnë një mikeshë të vërtetë të Kosovës, teksa citoi fjalët e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, se në shekullin 20 e 21 nuk kishte kampione më të madhe të lirisë se Albright.

“Sot ne nderojmë një mikeshë të vërtetë të Kosovës, Sekretaren Albright, në përvjetorin e vdekjes së saj. Siç tha presidenti Biden ‘Liria qëndron kundër të gjitha gjasave përballë çdo agresori, sepse ka gjithmonë nga ata që do të luftojnë për atë liri. Dhe në shekullin 20 dhe 21, liria nuk kishte kampione më të madhe se Madeleine Korbel Albright’”, shkroi Hovenier, transmeton Klankosova.tv.

Albright ishte Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe gjatë kohës së luftë në Kosovë, për të cilën ndërhyrje pati thënë se ishte bërë në emër të lirisë.

Ajo e pati vizituar Kosovën në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, teksa në nderim të saj është ngritur një bust në qendër të kryeqytetit.