Bizneset në hall, nuk ka punëtorë, të huajt nuk vijnë

Me thellimin e dukurisë së mungesës së fuqisë punëtore, që në rastin e Shqipërisë, është e ndikuar më tepër nga emigracioni, lëvizjet demografike të brendshme dhe plakja e popullsisë në vite, bizneset nuk pritet t’i shtrenjtojnë çmimet, por pohojnë se do ta amortizojnë koston e rritjes së pagave për mbajtjen e punëtorëve me shkurtim fitimesh dhe investimesh.


Prodhuesit mbeten më të prekurit në kosto nga ndryshimet e tregut të punës.

Përpunuesit e peshkut të kompanisë “Coral Fish”, përveç goditjeve nga rënia e euros, nuk po arrijnë të gjejnë punonjës për të përballuar kërkesën e lartë për eksport drejt Spanjës dhe Italisë.

Për këtë arsye, kanë nisur të reduktojnë prodhimin.

“Aktualisht kemi të punësuar 80 shtetas nga Egjipti për flotën e 13 anijeve të peshkimit, si dhe italianë dhe turq në sektorë të ndryshëm. Tentuam edhe punësimin në linjat e prodhimit në fabrikë të punëtorëve nga Bangladeshi, por pavarësisht monitorimit deri te mbajtja e pasaportave, gjithçka rezultoi e pasuksesshme, pasi të gjithë u larguan. Për një pjesë të tyre, Shqipëria është trampolinë për t’u larguar drejt vendeve të BE-së. Gjetja e punonjësve vendas është gjithnjë e më e vështirë. Në vitin 2008, kur përuruam fabrikën në Durrës, ka pasur fluks të lartë të njerëzve që kërkonin punë. Tashmë ky fluks nuk ekziston më”, theksojnë nga kjo kompani për Monitor.

Nëse nuk do të kishte rënie të fuqisë blerëse, Kosta Bezhani, nga kompania “Fresh Co”, tha se do të arrinte të përballonte paga nga 700 deri në 1,000 euro/muaj.

Drejtuesi i kompanisë “Fresh Co” tha se po shpenzon kursimet për të paguar punonjësit. “Punonjësit po i paguajmë me paga dyfish më të larta se pagesat që marrin në Greqi, por shumica e tyre nuk dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Çdo ditë largohen gjithnjë e më shumë. Ndërsa me të huajt, ne si kompani kemi eksperimentuar shumë vite më parë, pasi punësuam shtetas nga Kina. Rekrutimi i të huajve është i vështirë, pasi asnjë prej tyre nuk dëshiron të qëndrojë për një kohë të gjatë në Shqipëri. Por nëse do të kishte lëvizje konsumi, nëse do të kishte njerëz, situata mund të përmirësohej”, thotë Bezhani.

Pjesa e mirë e fuqisë punëtore shqiptare të kualifikuar ka emigruar. Në 20 vitet e fundit, përkatësisht për vitet 2002 deri 2022, sipas të dhënave të Eurostat, janë 604 mijë shqiptarë të pajisur me pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian. Numri më i lartë i shtetësive të dhëna ishte në 2016, me 67 mijë, i ndjekur nga 2017-a, me 59 mijë.

Shumë nga bizneset eksperimentuan marrjen e fuqisë së huaj punëtore nga shtetet aziatike, por skema rezultoi e pasuksesshme, pasi ata largoheshin, edhe pse u ofrohej pagë nga 600 deri në 800 euro/muaj, akomodim dhe ushqim, me qëllim mbajtjen e punëtorëve më të kualifikuar.

Në zonat turistike është e pritshme që me fillimin e sezonit turistik të rriten ofertat e punës nga sektori HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering) deri në masën që bëhet e pamundur të plotësohen nga fuqia punëtore që banon në këto zona.

Kjo gjë do të sjellë transferimin e përkohshëm të punëtorëve nga Tirana apo qytete të tjera.

Në këtë periudhë krize për gjetjen e forcës së punës, pritshmëritë për shumë punonjës janë për rritje të lartë të pagave, e cila do të shoqërohet me rritje të çmimeve ose ulje të fitimeve të bizneseve.

Henri Jahja, përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, tha se gjatë periudhës së verës për profesionin e kuzhinierit, paga arrin deri në 3,500 euro/muaj dhe ndihmëskuzhinierit, deri në 2,000 euro/muaj.

Sipas tij, kostoja e rritjes së pagave pa meritokraci do të përballohet nga rritja e çmimeve.

Si domosdoshmëri për mbajtjen e punonjësve gjatë sezonit turistik, z. Jahja thotë se baret dhe restorantet do të vijojnë me rritjen e pagave pa eficiencë, por kjo pritet të sjellë kosto më të larta për bizneset që do të shoqërohet me rritje të çmimeve.

Sivjet pagat që po kërkohen nga personeli i brendshëm janë dyfish më të larta se vitin e kaluar. Në nivel menaxherial dhe në nivel shef kuzhine, momentalisht ne jemi më lart në paga sesa Italia, Mali Zi, Kroacia, etj.

Një shef kuzhine në periudhë sezoni në Shqipëri paguhet 3,000 deri në 3,500 euro në nivele të njëjta me një shef kuzhine në Romë, ndërsa ndihmëskuzhinieri 1,500 deri në 2,000 euro/muaj.

Në vitin 2023, baret dhe restorantet kryesuan për numrin më të lartë të punësimeve të huajve, me rreth 2 mijë të tillë, ise 12% të totalit.

Edhe sektori i hotelerisë po përballet me vështirësi për gjetjen e punonjësve. Drejtuesi i hoteleve “FAFA Hotels & Resorts”, një nga strukturat më të mëdha të hotelerisë në bregdetin e Durrësit, z. Fatos Çerinishti, më herët pohoi se të punësuarit nga Bangladeshi i kanë rezultuar të paqëndrueshëm, pasi janë larguar drejt ishujve të Greqisë.

Për këtë arsye, hoteleria gjithashtu do të vijojë të rrisë pagat e vendasve dhe kostot për kualifikimin e të rinjve.

Për strukturat më të mëdha akomoduese, ku 80% të paketave turistike të ofruara janë të prenotuara nga të huajt, sipas Fatos Çerenishtit, shpenzimet për fondin e rritjes së pagave do të përballohen me rënie fitimesh./monitor.al