Ahmeti: Në kalanë e sukseseve kombëtare, erdhi koha të vendosim edhe presidentin e parë shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur sonte konventën promovuese për kandidatin për president, Bujar Osmanin.


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në faqen e tij zyrtare në Facebook ka falenderuar mbi 5000 qytetarët që ishin të pranishëm në këtë ngjarje, të cilët njëzëri thanë po për një president shqiptar.

Ahmeti ndër të tjera potencon se BDI është kala e fitoreve e arritjeve kombëtare që nuk përmbyset kurrë.

Statusi i plotë:

Faleminderit nga zemra mbi 5000 qytetarëve të pranishëm sot në Tubimin Qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim nga ku po fillojmë një kauzë të re demokratike, atë të Presidentit të parë shqiptar në vendin tonë.

Ndjesë afro 2.000 të tjerëve që mbetën jashtë sallës por faleminderit nga zemra që jeni me ne!

Kalaja jonë e arritjeve kombëtare që nuk përmbyset është e ndërtuar nga gurët që i vendosët secili nga ju dhe e tillë do të qëndrojë gjithmonë sepse është e popullit.

Në këtë kala le të vendosim edhe një gurë të fortë, atë të Presidentit të parë shqiptar, andaj më 24 prill fillimisht ju ftoj masovikisht të votoni kandidatin tonë të dëshmuar ndërkombëtarisht, Dr. Bujar Osmanin dhe më 8 maj për Bashkimin Demokratik për Integrim, folenë e krijuar nga populli.

Vota juaj për Bujarin në këtë garë presidenciale është konfirmim i përcaktimit tonë europian dhe i legjitimitetit të kauzës për President të parë shqiptar.

Bashkë t’i themi JO Rusisë, PO Europës!