Zelensky bisedë telefonike me Ramën: E falenderova për qëndrimin e Shqipërisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.


Lajmin e bëri të ditur vetë Zelensky përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tha se e ka falënderuar kryeministrin Rama për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Po ashtu, Zelensky theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë.

“Kam folur me kryeministrin Edi Rama për ta falënderuar për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për vendin tonë në KS të OKB, si dhe mbështetjen e mbrojtjes dhe politike.

Përfaqësuesja shqiptare mori pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos. Detyra jonë aktuale është të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe ne mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë Shqipërinë.

Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë në mbrojtje. Theksova gjithashtu rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social “X”.