Basha: PD, amendament në Kuvendin e Shqipërisë për rialokim të 5 miliardë lekëve ndihmë ushtarake për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se PD do të paraqesë të hënën në Kuvendin e Shqipërisë një amendament për buxhetin e shtetit dhe do të kërkojë rialokim të rreth 5 miliardë lekë të reja ndihmë ushtarake për Kosovën.


Në një konferencë për mediet Basha tha se, “paqja në rajon rrezikohet nga revanshizmi i Serbisë në Kosovë”.

“Partnerët perëndimorë kanë bërë të qarta mesazhet me fjalë dhe me vepra për të forcuar kapacitet mbrojtëse të Kosovës.

Në Tiranë dëgjohen kukuvajkat nga mëngjesi deri në darkë. Asgjë për interesin kombëtar. Duan ta mbajnë debatin me porta të vogla për interes të këtij që është në pushtet”, tha ndër të tjera Basha.

“Pres përkushtim nga qeveria dhe nga faktorët e tjerë. Patriotizëm nuk do të thotë të këndosh himnin, patriotizëm do të thotë të jesh i gatshëm të jesh në mbrojtje të Kosovës dhe të interesit kombëtar”, tha ai.