Elon Musk u bën thirrje njerëzve që të bëjnë më shumë fëmijë

Musk u bëri thirrje italianëve dhe njerëzve të vendeve të tjera të industrializuara që të kenë më shumë fëmijë “përndryshe kultura e Italisë, Japonisë dhe Francës do të zhduket”.


Në një event politik të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, e cila udhëhiqet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Elon Musk pohoi se të kesh më shumë fëmijë është mënyra e vetme për të frenuar rënien e popullsisë që kërcënon ekonomitë e shumë vendeve të përparuara.

“Këshilla ime për të gjithë udhëheqësit e qeverisë dhe njerëzit është: sigurohuni që të keni fëmijë për të krijuar një brez të ri,” tha ai.

Musk ka 11 fëmijë me tre nëna të ndryshme dhe u ngjit në skenë me njërin prej tyre në krahë duke thënë se “demografia është e rëndësishme”.

Ai u tha të pranishmëve se Italia është “një vend i jashtëzakonshëm” dhe “një vend i mirë për të investuar”, por shtoi se “kompanitë që investojnë pyesin veten: a do të ketë mjaftueshëm njerëz që punojnë?”. “Ndoshta po e përsëris veten, por këto janë faktet”, shtoi ai.

Musk theksoi se ai ishte “mbështetës i imigracionit të ligjshëm”, duke thënë se vendet duhet të mirëpresin njerëzit e ndershëm dhe të gatshëm për të punuar shumë.