Erdogan me tone të ashpra kundër Perëndimit: Hipokritë! Po shohin masakrën në Gaza dhe po heshtin

Recep Tayyip Erdogan vazhdon me deklaratat e tij të ashpra anti-perëndimore për krizën humanitare në Rripin e Gazës. Duke folur nga Uzbekistani, presidenti turk akuzoi Perëndimin se po hesht për vdekjen e mijëra grave dhe fëmijëve nga bombardimet izraelite në Gaza, duke shtuar se Turqia vazhdon përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.


“Lufta në territoret palestineze na ka thyer zemrat. Kanë kaluar 34 ditë luftë, dhe 73% e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Ata vazhdojnë të bombardojnë vendbanimet civile”, tha Erdogan.

“Jemi përballë një fanatizmi që dhe vendet perëndimore po e shikojnë masakrën nga larg. Ata janë shumë të dobët për të kërkuar një armëpushim, e lëre më për të kritikuar”, shtoi ai, duke folur për “hipokrizinë” e Perëndimit.

“Kur u vranë 25 njerëz në Paris, liderët botërorë protestuan së bashku. Tani janë vrarë 10 mijë njerëz dhe bota hesht. Fëmijë e gra. Këtë e shohim çdo ditë në TV. Nëse sot nuk e ngremë zërin bashkë, kur do ta ngremë?’

Duke iu referuar rolit të Turqisë, ai theksoi: “Ne vazhdojmë nismat tona diplomatike për t’i dhënë fund konflikteve.

Deri më sot kemi dërguar 10 avionë me ndihma humanitare që tejkalojnë 230 tonë. Përgatitjet tona për dërgimin e 2 anijeve civile të ndihmës humanitare vazhdojnë”, përfundoi presidenti turk.