Medai Shaholli


Si pozita ashtu dhe opozita në “drzhavën Severna” premtojnë më të mirën për qytetarët e tyre nëse i votojnë ata dhe jo të tjerët ditën e zgjedhjeve më 8 maj.
Njëra thotë do sjellim ndryshimin, kurse tjetra thotë se do t’ju anëtarësojmë në BE.

Njëra premton ndryshimin që sapo ka nisur, ndërsa tjetra premton Europën pas 9 majit.
Premtimet e taboreve tona politike nuk janë të sotme ato janë të vjetra sa vetë parlamentarizmi.

Të paktën në këto dy dekada të propagandës së tyre, subjektet tona politike në çdo cikël zgjedhor si pozita dhe opozita, kanë përsëritur të njëjtat gjëra, premtime dhe zotime para elektoratit shqiptar se me ta në pushtet shqiptarët do të kenë status të barabartë politik me sllavët.

Kësisoj, ata kanë vazhduar si deri më sot me premtime pa mbulesë duke na rrëfyer dëngla pa mbarim për një të ardhme më të mirë për qytetarët që nuk erdhi kurrë si:

-Nëse na zgjidhni ne dhe jo të tjerët, gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin!
-Nëse na besoni ne dhe jo ata, së shpejti nofka e turpit siç është 20% i famëshëm do të fshihet nga kushtetuta brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes sonë!

-Nëse na besoni ne dhe jo ata, ndryshimet kushtetuese do të bëhen para formimit të qeverisë, si nismë e mbarë për hapjen e plotë të negociatave me BE!

-Nëse na zgjidhni ne dhe jo ata ndryshimi do të ndodh brenda disa javësh!

-Nëse na besoni ne dhe jo atyre rruga për në Bruxelles do të jetë shumë më afër se dje!

Dhe kështu në pambarim me zotime që nuk i dalin zot t’i mbrojnë dhe t’i mbajnë para qytetarëve shqiptarë, partiçkat tona kanë vijuar si më parë me thirrjet se ne jemi ndryshimi ndërsa tabori tjetër kundërpërgjigjet se ne jemi më pranë Europës dhe jo ata.
Dhe kështu në taboret tona të politikës vazhdojnë të broçkullisin me retorikën se këtë radhë do godisni në shenjë nëse na besoni ne dhe jo atyre.

Ata tashmë janë dëshmuar se nuk e mbajnë fjalën por përkundrazi, kanë gënjyer dhe stërgënjyer shqiptarët në çdo cikël zgjedhor me premtimet dhe zotimet e tyre për mirëqënie dhe një jetë më të mirë që nuk u bë kurrë realitet.
Përkundrazi, ata e kanë lumosur dhe katranosur të ardhmen e shqiptarëve me veprimet dhe qëndrimet e tyre si në pozitë ashtu dhe në opozitë, pasi realiteti i krijuar flet mjaftueshëm për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.

Ata së bashku si pozita dhe opozita, kanë pranuar prej kohësh rolin e vasalit ndaj despotëve të pushtetit, ku si shpërblim për vasalitetin e tyre kanë përfituar dhe kanë kollofitur qokat dhe llokmat e pushtetit si leverdi dhe “bonuse” që kuzhina qeveritare shpërndan për shërbetorët e oborrit të saj.

Ndaj, zgjohuni qytetarë të ndershëm dhe mos i besoni premtimeve pa mbulesë të asnjërës, të dy palët si pozita edhe opozita gënjejnë dhe mashtrojnë për interesat e tyre, ata nuk mendojnë për ju por për veten e tyre!