Të paktën 52 xhami janë shkatërruar plotësisht nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, raporton Anadolu.


Selame Maruf, Shefi i Zyrës për Media i qeverisë në Gaza, në një konferencë për shtyp dha informacione për shkatërrimet e shkaktuara nga sulmet izraelite.

Maruf tha se 52 xhami janë shkatërruar plotësisht dhe 110 xhami të tjera janë dëmtuar në mënyra të ndryshme gjatë sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Duke theksuar se një milion e gjysmë njerëz janë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë drejtuar në qendrat e strehimit për shkak të sulmeve, Maruf tha se sulmet izraelite kanë shkaktuar fatkeqësi në Gaza.

Maruf vuri në dukje se Izraeli ka shkatërruar 82 qendra qeveritare, dhjetëra institucione shërbimi dhe objekte publike në Gaza.

Ai tha 212 shkolla pësuan shkallë të ndryshme dëmtimi dhe 45 shkolla janë jashtë funksionit për shkak të sulmeve izraelite. Maruf deklaroi se 2.510 nxënës dhe studentë janë vrarë në sulmet izraelite.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Më shumë se 10.300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 8.796 palestinezë dhe 1.538 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.