Qeveria e lidhur me Hamasin në Rripin e Gazës njoftoi se “400 familje palestineze janë shuar” në sulmet e Izraelit në rajon që nga 7 tetori, transmeton Anadolu.


Shefi i Zyrës për media i Qeverisë, Selame Maruf tha se “400 familje, përfshirë 2.163 anëtarë, janë shuar në sulmet ajrore të kryera nga Izraeli mbi banorët e Rripit të Gazës që nga 7 tetori”.

Ai tha se Izraeli iu shmang përgjegjësisë për “masakrën ndaj spitalit Baptist Al-Ahli”, e cila ndodhi mbrëmë dhe që shkaktoi qindra të vrarë dhe të plagosur. Maruf tha se nuk mund të mohohet se Izraeli kërcënoi spitalin Baptist Al-Ahli.

– Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ndaj Rripit të Gazës është rritur në 3.478 numri i palestinezëve të vrarë ndërsa numri i të plagosurve ka tejkaluar 12 mijë.

Më tej bëhet e ditur se forcat izraelite gjatë kësaj kohe kanë vrarë 62 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar ndërsa numri i të plagosurve se është 1.300.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 10 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundmi të paktën 471 palestinezë u vranë mbrëmë në sulmin e Izraelit ndaj spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza.