Dhjetra egjiptianë po zhvillojnë një protestë jashtë pikës së vetme kufitare të Egjiptit me Rripin e Gazës dhe janë zotuar të vazhdojnë derisa pika e kontrollit të rihapet për të ofruar ndihma në enklavë, tha sot një burim i Gjysmëhënës së Kuqe egjiptiane.


“Protestuesit janë kryesisht vendas nga Sinai dhe drejtues kamionësh të shpërndarjes së ndihmave që janë rreshtuar jashtë pikës kufitare Rafah prej disa ditësh”, sipas burimit.

Ata kanë vendosur të vazhdojnë me protestën, derisa kalimi të rihapet dhe afro 165 kamionët e ndihmës të kenë akses në Rripin e varfër të Gazës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha dje se presidenti egjiptian Abdel-Fatah al-Sissi kishte rënë dakord të hapte pikën e kalimit për të lejuar ndihmën humanitare për Gazën.

Biden tha se, në një bisedë telefonike me al-Sissi, të dy kishin rënë dakord për të lejuar deri në 20 kamionë në fillim.

Rafah është i vetmi vendkalim kufitar në Rripin e Gazës që nuk kontrollohet nga Izraeli. Kalimi është i mbyllur për shkak të sulmeve ajrore izraelite në Gaza, për të cilat zyrtarët thonë se kanë vrarë të paktën 3 785 persona.