SHBA i kërkon Iranit të ndalojë shitjen e dronëve Rusisë

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar iranianëve që të ndalojnë së furnizuari me dronë rusët në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.


Kjo është raportuar nga Financial Times duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe iranianë.

Uashingtoni po i kërkon Teheranit që të ndalojë së furnizuari Moskën jo vetëm me dronë, por edhe me pjesë të kësaj fluturake.

Zyrtari shtoi se Teherani – i cili zyrtarisht mohon se dronët e tyre po përdoren në Ukrainë – i kishte kërkuar vazhdimisht Moskës që të ndalonte vendosjen e tyre në konflikt, por Uashingtoni donte “hapa më konkret”.

Një shkëmbim i suksesshëm i të burgosurve dhe çdo marrëveshje jozyrtare shtesë do të shënonte përparimin e parë të presidentit amerikan, Joe Biden në Iran pas më shumë se dy vjet bisedimesh të tërthorta me regjimin, ku lideri amerikan ka kërkuar të ringjallë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar nga Teherani me fuqitë botërore dhe të lehtësojë tensionet në Lindjen e Mesme.

Negociatorët shpresojnë se bisedimet indirekte do të bëjnë që të dyja palët të bien dakord për masat përshkallëzuese.

Për Iranin, kjo do të nënkuptojë që të mos pasuronte uraniumin mbi 60 për qind, të përmirësohet bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe të zotohet se nuk do të synojë tokat amerikane, tha zyrtari iranian dhe një person tjetër i informuar mbi bisedimet.

Në këmbim, Uashingtoni do të përmbahet nga vendosja e sanksioneve të reja në disa fusha, me përjashtim të atyre që përfshijnë të drejtat e njeriut, dhe nuk do të kontrollojë rreptësishtë sanksionet tashmë të vendosura për shitjen e naftës.