Për herë të parë në botë, shkencëtarët kanë gjetur të gjallë në trurin e një gruaje, një krimb 8 cm të gjatë. Studiuesit po paralajmërojnë se rasti nxjerr në pah rrezikun e shtuar të sëmundjeve dhe infeksioneve që kalojnë nga kafshët te njerëzit.


“Të gjithë në atë sallë operacioni u tronditën kur kirurgu mori disa pinca për të kapur një anomali dhe anomalia doli të ishte një krimb i gjallë, i gjallë 8 cm i kuq. Ky është një infeksion i ri i padokumentuar kurrë më parë tek një qenie njerëzore”, tha mjekja Sanjaya Senanayake.

Krimbi i rrumbullakët Ophidascaris Robertsi është i zakonshëm te pitonët, gjarpërinjtë johelmues që gjenden në pjesën më të madhe të Australisë.

Shkencëtarët thonë se gruaja ka shumë të ngjarë ta ketë marrë krimbin, pasi mblodhi një lloj bari vendas, pranë një liqeni afër vendit ku jetonte.

Duke shkruar në revistën Emerging Infectious Diseases, Mehrab Hossain, një ekspert australian në parazitologji, tha se ai dyshon se ajo u bë një “pritëse aksidentale” pasi përdori bimët e kontaminuara nga feçet e pitonit dhe vezët e parazitëve për gatim.