Danimarka do t’i kërkojë Kinës të mbajë qëndrim më të fortë ndaj Ukrainës

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen thotë se ka në plan t’i kërkojë Kinës të marrë një pozicion më të fortë ndaj Ukrainës dhe të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin për luftën.


“Ne kemi nevojë që Kina të marrë një pozicion më të fortë,” i tha Rasmussen agjencisë së lajmeve Reuters në Shangai në fillim të vizitës së tij tre-ditore në Kinë.

“Putini nuk po dëgjon liderët evropianë, por po dëgjon qartë Kinën. Kështu që unë dua të argumentoj se Kina duhet të flasë”, tha ai.

Ministri danez shtoi se do të diskutojë Ukrainën dhe bashkëpunimin dypalësh për energjinë e gjelbër me homologun e tij kinez Wang Yi kur të dy të takohen të premten në Pekin.

Ai do të takohet gjithashtu të enjten me ministrin kinez të Tregtisë Wang Wentao.