Me “BDI-në e korruptuar” apo me opozitën e përçarë?

Shkruan: TetovaSot


Si kurrë më parë, politika shqiptare nuk ka qenë më e përçarë ose më saktë copë e më copë. Partitë kanë mbetur si “harta” të vogla në ndërkohë që askush nuk e di më se me cilin është.

E vetmja fjalë që nuk u hiqet nga goja është “NDRYSHIMI” që po vjen.

Po kush do t’a bëjë këtë ndryshim, cilët njerëz janë ata që ëndrrëjnë ndryshimin e që i janë ngjitur politikës dhe nuk i heq dot?!

Janë të njëjtit njerëz që bien si tradhëtarë natën në një parti dhe zgjohen herët në mëngjes si heronj në një parti tjetër.

Është një “Kalë Troje” që vjen vërdallë prej kohësh, por askush më nuk e kupton të vërtetën e madhe që duhet t’a dijnë shqiptarët.

Busolla politike ka humbur dhe kanë mbetur si i thonë një “bandë fokash” që qëndrojnë akoma në skenë ose pse janë të sëmurë e karrieristë politikë, ose janë të korruptuar dhe e kanë bishtin e zënë.

Në secilën parti ka që duan të ngriten dhe të tjerë që ia mbathin për të gjetur një shteg tjetër për hirë të “kauzës kombëtare”.

Politika shqiptare sot përbëhet nga një BDI aferash korrupsioni dhe opozitën e përçarë që ka humbur në një labirinth politik aq sa mundohen armiqtë e së djeshmes të bëhen aleatë të së sotmes për të shpëtuar karrierat politike dhe për t’ua zënë frymën të ardhmes që mvaret nga t’a dhe ASH-në e Selës dhe Llogës që janë futur në ëndrrën korruptive të BDI-së e që Taravari shiqon nga Gostivari i vetmuar dhe i pafuqishëm ndaj dyshes nga Struga.

Në BDI po bëhet “lufta” për territore, dhe luftë kush më shumë do ta lëvdërojë liderin dhe kush do të qëndrojë më afër liderit për tu fotografuar me të e duke treguar muskujt në parti se unë jamë më i fortë se ti.

Po populli, ai që po e braktisë frikshëm këtë vend, kujt duhet t’i besoj sot BDI-së së korruptuar, opozitës së përçarë apo ASH-së së Strugës që ëndërron të bëhet si BDI-ja e korruptuar?

Kush është shpresa për të: BDI e aferave korruptive apo opozita pa busollë që ditën flasin për bashkim dhe unitet e natën bëhen copë e më copë ende pa hyrë në Qeveri?

Dikur opozita e ishte e fuqishme, dalëngadalë morrën rrugën e shkatrimit të ëndrrës opozitare, ishte Gashi dhe Sela, pastaj, Sela e Kasami, pastaj Kasami e Taravari, e sot kemi Kasamin me Gashin dhe pas tyre vjen edhe Mexhiti.

Dje Gashi dhe Kasami ishin në një konfrontim “Jetë a Vdekje” dhe tani çuditërisht i gjen bashkë por vonë, shumë vonë sepse që të dyja më pas si Alternativa poashtu edhe BESA, qeverisën bashkë me të korruptuarit e BDI-së dhe madje Alternativa dy herë edhe atë me vetëdije të plotë.
Nëse gabove njëherë të falet,por së dyti kurrë.

Dhe tani një i dalë prej “BDI së së korruptuar” mes postesh e privilegjesh si Izet Mexhiti i përkedheluri i BDI së del kundër BDI-së, del dhe ulet në tavolinën e atyre që deshtën me vite t’a rrëzonin, me vite ta eleminonin.

Po, populli a mund t’ju besoj?

Sot, pra kemi një BDI të tkurrur me më pak deputetë, por kemi poashtu një opozitë që qëndrojnë në një tavolinë në përpjekjen për t’u “bashkuar” me urdhër të VMRO-së me të vemtin qëllim për të rrëzuar “BDI-në e korruptuar”, por sapo mbaron takimi, disa prej tyre kanë ikur në drejtim të kundërt, siç ndodhi dje me krahun e djathtë të Kasamit, Arijanit Hoxhën dhe Bastri Bajramin.

“BDI-ja e korruptuar” nuk rrëzohet me ëndrrat dhe urdhërat e VMRO-së e as me bashkimin e opozitës së përçarë, “BDI-ja e korruptuar” rrëzohet me vullnet të madh për trazuar dhe çarë mllefin e shqiptarëve që ka me vite që presin të pëlcasin për NDRYSHIM, e kjo opozitë kurrë nuk do ta ketë fatin ta trazojë shqiptarin e tillë, sepse ende pa u bashkuar ata ndahen.

Në çastin kur shqiptarët janë të lodhur nga një qeverisje e keqe dhe e korruptuar, duhet sërish të zgjedhin atë “BDI-në e korruptuar” sërish sepse këndej nuk është opozita e shpresës së madhe, por janë të njëjtit protagonistë që nuk ofrojnë njerëz të rinj, por të dëshpëruarit e pushtetit që duan t’a vazhdojnë rrugëtimin me koston që e paguajnë qytetarët që nuk kanë më asnjë alternativë.

Në tavolinën e opozitësh gjithçka mund të ketë, por vetëm unitet JO, bashkoim Jo dhe shpresë për NDRYSHIM kurrë.

Në njërn anë është një BDI e “plagosur dhe e korruptuar” e në anën tjetër është opozita e coptuar e shqiptarët sërish ngelin në mesin e hijes së madhe të shpresës së vdekur në këtë shtet.

E kur “BDI-ja e korruptuar” qëndron në pushtet, opozita coptohet e përçahet çdo ditë, shqiptarët është mirë t’ia mbathin në Berlin.