Kurti: Vuçiqi nuk doli të ishte kalë por dhelpër

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovës.


Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” ka prekur disa tema si veriun e Kosovës, marrëveshjen e Ohrit, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera që lidhen me dialogun.

Ai theksoi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk doli të ishte kalë por dhelpër dhe se Brukseli dhe Washintoni, vunë bast të gabuar për të.

“Brukseli dhe Washingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në ven​d të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”, tha Kurti.

“Brukseli dhe Washingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, theksoi numri një i qeverisë kosovare për “Veçenji List”.