Sot i jepet lamtumira e fundit gazetarit dhe publicistit, Skënder Raufi

Sot në Bukoviq, bëhet varrimi i gazetarit Skënder Raufi
Sot, në fshatin e tij të lindjes, Bukoviq të komunës së Sarajit, pas namazit të drekës, do të bëhet varrimi i gazetarit Skënder Raufi, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.


Ai rrjedh nga një familje intelektuale, nga babai që ka qenë ndër avokatët e parë të Dërvenit, dhe nëna, nga mësueset e para të pasluftës. Vetë ai shkoi gjurmëve të babait dhe ka diplomuar në Fakultetin juridik në Shkup, porse përcaktimi i tij profesional nuk ishte judikatura, por gazetaria.
Skënder Raufi bie në grupin e gazetarëve të parë të Televizionit të Shkupit dhe ndër anëtarët e parë të Redaksisë në gjuhën shqipe në te. Në këtë redaksi ai ka punuar nga viti 1972 si spiker, gazetar, redaktor rubrikash gjer te kryeredaktor dhe autor i shumë emisioneve të shikuara.

Përveç marrjes me gazetari, ai njihet edhe si autor i pesë vepra publicistike: “Takim me krijuesin-1” (2002); “Takim me krijuesin -2” (2006); “Vjelja e lulediellit-1” (2008) ; “Vjelja e lulediellit-2” (2012); dhe “Vjelja e lulediellit-3” (2014), që paraqesin përmbledhje përsiatjesh të tij nëpër shtypin ditor të kohës, si reflekse të vrojtimeve të tij të proceseve nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë.

Raufi ka qenë laureat i çmimit më të lartë në Maqedoninë e Veriut për publicistikë “Mito Haxhivasilev-Jasmin”.
Pas 44 vjet pune kryesisht në gazetari televizive, ai u pensionua në vitin 2016.