Pse shpërthimi i digës në Kherson rrezikon të gjithë Ukrainën jugore?

Lajmi se diga Nova Kahovka në Kherson në pjesën e kontrolluar nga Rusia pranë lumit Dnieper është hedhur në erë ka shkaktuar shqetësim tek të gjithë.


Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat nuk mund të verifikohen për momentin tregojnë shpërthime në digën në Nova Kahovka, në lumin Dnieper. Video të tjera tregojnë sasi të mëdha uji që derdhen nga rrënojat e digës dhe kanë tronditur kalimtarët.

Pasi Ukraina akuzoi Rusinë për hedhjen në erë të digës, kreu i rajonit Kherson u kërkoi banorëve të largoheshin nga zona, duke paralajmëruar se “uji do të arrijë një nivel kritik në 5 orë”.

Pse është kaq e rëndësishme diga?

E ndërtuar në vitin 1965, diga ka një rezervuar masiv me të njëjtin vëllim si Liqeni i Kripur në Utah. Në rezervuarin e tij ka 18 kilometra kub ujë. Një çarje e digës mund të përmbysë rajonin, madje duke prekur Kherson, të cilin forcat ukrainase e rimorën në fund të vitit 2022, raporton abcnews.al.

Uji nga rezervuari furnizon gadishullin e Krimesë në jug, i cili u aneksua nga Rusia në 2014 si dhe termocentralin bërthamor i Zaporizhia, më i madhi në Europë në veri.

Impianti i Zaporizhia ka nevojë për një furnizim të pandërprerë për të ftohur reaktorët e tij. Kështu, mund të ketë “pasoja negative” për centralin bërthamor, siç paralajmëroi kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore Energoatom, duke vënë në dukje megjithatë se situata është aktualisht nën kontroll.

Shkatërrimi i digës do të përkeqësojë problemet energjetike të Ukrainës, pasi Rusia në fillim të këtij viti synoi sistematikisht infrastrukturën e saj jetike.

Që nga fillimi i luftës, diga është identifikuar si një objektiv potencial për rëndësinë e saj strategjike. Pasi u mora nga Rusia në fillim të pushtimit të Moskës në shkurt 2022, që atëherë ka mbetur nën kontrollin rus, raporton abcnews.al.

Në tetor, ndërsa Ukraina mori në kontrollin e saj pjesë të Khersonit të pushtuar, Presidenti Volodymyr Zelensky i kërkoi Perëndimit të paralajmërojë Rusinë kundër shkatërrimit të digës.

Në atë kohë, ai kishte raportuar se forcat ruse kishin vendosur eksploziv brenda saj.

Çfarë ndodhi tjetër gjatë këtij viti?

Në maj, banorët e një fshati aty pranë raportuan për përmbytje të vazhdueshme, për të cilat fajësuan palën ruse. Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, banorët thanë se niveli i ujit kishte filluar të rritet në prill, ndonjëherë deri në 30 cm në ditë.