Nis takimi Kurti – Lajçak

Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tashmë kanë arritur në Qeveri.


Lajçaku ka arritur në ndërtesën e Qeverisë pak minuta para kryeministrit Kurti.

Kurse zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka arritur i pari.

Lajçak vjen pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që ndodhi më 2 maj mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Zëdhënësi kryesor për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për KosovaPress se takim i Lajçakut sot në Prishtinë dhe Beograd të premten është edhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme në kuadër të dialogut.

“Përfaqësuesi Special i BE-së Lajcak udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, veçanërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel për të ndjekur dhe çuar përpara atë që është vendosur ose rënë dakord në Bruksel dhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme. Në këtë kontekst mund të konfirmojmë se nesër ai do të jetë në Prishtinë dhe të premten në Beograd.”, tha Stano.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë më 11 maj në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do të vizitojë Beogradin.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia më herët gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit, që veç tjerash parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, që kur procesi ka nisur më 2011. Në të përfshihen edhe dy marrëveshjet për Asociacionin.

Më 2013 dhe 2015, palët kishin arritur marrëveshje për Asociacionin. Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke shtuar se marrëveshja mund të harmonizohet me ligjet në fuqi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë synon normalizimin e plotë të raporteve. Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi – pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.