Shkup, 10 maj – Nuk mund të jetë shpëtimtar i shqiptarëve, as VMRO-DPMNE, as Mickoski, i cili nga mëngjesi deri në darkë flet në emër të nacionalizmit maqedonas duke i fyer shqiptarët, vlerëson njohësi i rrethanave politike në vend, gazetari Urim Saliu, duke komentuar deklaratat e liderit të opozitares maqedonase Hristijan Mickoski se është koha për pension dhe opozitë për BDI-në dhe Ali Ahmetin.

“Mickoski duket se bie dhe zgjohet me figurën e Ali Ahmetit dhe sado që ai tenton ta njollosë atë, është një fakt që ai s’mund ta ndryshojë, Ali Ahmeti është një fitues te shqiptarët, siç nesër mund të jetë dikush tjetër por që këtë nuk e përcaktojnë maqedonasit por trupi elektoral i shqiptarëve. Shqiptarët ka kush i përfaqëson si në pushtet po ashtu edhe në opozitë dhe në këtë pikë me të gjitha defektet ne kemi terrenin tonë. Kur tenton një lider politik që partia e tij nga mëngjesi deri në darkë flet në emër të nacionalizmit maqedonas, kjo e fyen do gjë shqiptare. Mickoski është një politikan kontradiktorë i cili natën flet ndryshe dhe ditën vepron ndryshe. Natën flet për kauzat dhe mbrojtjen e identitetit maqedonas etnik, ndërsa ditën bën sikur flet për shqetësimin e shqiptarëve por nuk e pranon se e keqja më shumë u vjen nga politikat e qeverisjeve të tyre”deklaroi Saliu për Indeks.mk

Urim Saliu
Urim Saliu

Sipas tij, është fatale për politikën shqiptare kur një lider maqedonas flet në emër të një kauze shqiptare.

“Mickoski duket se ka hyrë në një terren të panjohur politik dhe flet sikur që tani të jetë një kryeministër i vendit. Ne kemi mjaftueshëm parti shqiptare që mund ta paraqesin realitetin në vend ashtu siç është qoftë edhe me dështimet, por nuk kemi nevojë për një zëdhënës maqedonas që shpërfaq kinse një shqetësim. Ai i përket një partie politike që e kaluara e qeverisjes së tyre na trishton dhe jo më rikthimi i tyre në qeverisje sepse askush nuk mund ti besojë më një nënçmimi të tillë kaq të hapur”, potencoi Saliu.

Se BDI-në dhe Ali Ahmetin do e dërgojnë në opozitë, gazetari dhe opinionisti Driton Zenku thotë se është një refren që e dëgjojmë vazhdimisht nga partitë maqedonase qoftë të pushtetit apo opozitës.

Driton Zenku
Driton Zenku

“Pa dallim, të gjitha dëshirojnë ta shohin BDI në opozitë. Ju kujtohen deklaratat e Zoran Zaevit, Nikolla Gruevskit dhe së fundmi edhe të Hristijan Mickoskit. Verdiktin e jep elektorati dhe jo liderët e partive politike. BDI është dy dekada në pushtet sepse kështu kanë vendosur votuesit. Sa i përket aferave dhe veprimeve kriminale, eksponentë të VMRO-DPMNE ndodhen nëpër burgje, në arrati, madje ndaj tyre ka edhe fletarrest ndërkombëtare. Këto 20 vite nuk dihet që ndonjë zyrtar i BDI të ketë shkuar në burg me akuza të kësaj natyre”, deklaroi Zenku për Indeks.mk

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nga Tetova, ka drejtuar akuza në adresë të BDI-së dhe Ali Ahmetit. “Mjaft më. Është koha për pension dhe opozitë …”, ka deklaruar mes tjerash Mickoski.