Zbulohet një ekzoplanet i ri me madhësinë e Tokës, mund të ketë edhe një atmosferë

Astronomët kanë zbuluar një sinjal radioje të përsëritur nga një ekzoplanet dhe ylli rreth tij. Të dyja ndodhen 12 vite dritë larg planetit tonë dhe sinjali tregon se planeti i cili është sa madhësia e Tokës, ka të ngjarë të ketë një fushë magnetike dhe madje edhe një atmosferë.


Shkencëtarët kanë vëzhguar valë të forta radio që vijnë nga ylli YZ Ceti dhe ekzoplaneti shkëmbor që rrotullohet rreth tij, i quajtur YZ Ceti b. Studiuesit besojnë se sinjali i radios u krijua nga ndërveprimet midis fushës magnetike të planetit dhe yllit.

Gjetjet janë të detajuara në një studim të botuar të hënën në revistën shkencore Nature Astronomy.

“Ne pamë shpërthimin fillestar të valëve të radios dhe ishte shumë e bukur,” tha autori kryesor i studimit Sebastian Pineda. “Kur e pamë përsëri, ishte me të vërtetë një tregues se, ndoshta ne vërtet kemi diçka këtu.”
Fushat magnetike mund të parandalojnë që atmosfera e një planeti të tkurret dhe në thelb të gërryhet me kalimin e kohës, ndërsa grimcat lëshohen nga ylli dhe e bombardojnë atë, tha Pineda.

Kur shfaqen valët e forta të radios?

Që valët e radios të bëhen të dallueshme në Tokë, ato duhet të jenë shumë të forta, thanë studiuesit.

“Nëse një planet mund të ekzistojë me ose pa atmosferë mund të varet nëse planeti ka një fushë magnetike të fortë apo jo,” shpjegon Pineda.

Në të kaluarën, studiuesit kanë zbuluar fusha magnetike në një ekzoplanet me madhësinë e Jupiterit, i cili është planeti më i madh në sistemin tonë diellor. Sidoqoftë, zbulimi i fushave magnetike në planetë më të vegjël me madhësinë e Tokës është më i vështirë pasi fushat magnetike janë në thelb të padukshme.

“Ajo që ne po bëjmë është të kërkojmë një mënyrë për t’i parë ato,” thotë Jackie Villandsen, një nga autorët e studimit. “Ne jemi duke kërkuar për planetë që janë shumë afër yjeve të tyre dhe të ngjashëm në madhësi me Tokën,” shton ajo.

“Këto planetë janë shumë afër yjeve të tyre për të qenë të banueshëm, por për shkak se janë kaq afër, planeti po “noton” mes gjërave që dalin nga ylli. Nëse planeti ka një fushë magnetike dhe lëron mjaft materie yjore, kjo do të bëjë që ylli të lëshojë valë të ndritshme radio.”

YZ Ceti b merr vetëm dy ditë në kohën e Tokës për të përfunduar një orbitë rreth yllit të tij. Ndërkohë, orbita më e shkurtër në sistemin tonë diellor është ajo e planetit Mërkur, të cilit i duhen 88 ditë tokësore për të përfunduar një cikël rreth diellit.

Ndërsa YZ Ceti b rrotullohet rreth yllit të tij, plazma nga ylli përplaset me fushën magnetike të planetit, kthehet jashtë dhe ndërvepron me fushën magnetike të yllit. Të gjitha këto reagime krijojnë dhe lëshojnë valë të fuqishme radio që mund të zbulohen në Tokë.

Kandidati për ekzoplanet shkëmbor

Studiuesit besojnë se YZ Ceti b është kandidati më i mirë i ekzoplanetit shkëmbor me një fushë magnetike të identifikuar deri më tani.

“Kjo në fakt mund të jetë e besueshme,” tha Villadsen. “Por unë mendoj se shumë më tepër punë do të bëhet përpara se të ketë një konfirmim vërtet të fortë të valëve të radios që shkaktohen nga një planet.”

Teleskopët e rinj të radios që do të nisin këtë dekadë mund të ndihmojnë astronomët të zbulojnë më shumë sinjale që tregojnë fusha magnetike, thanë studiuesit.

“Kërkimi për botët potencialisht të banueshme në sisteme të tjera diellore varet pjesërisht nga aftësia për të përcaktuar nëse ekzoplanetët shkëmborë të ngjashëm me Tokën kanë në të vërtetë fusha magnetike,” tha Joe Pesce, drejtor programi i Observatorit Kombëtar të Radio Astronomisë.

“Ky hulumtim tregon se ky ekzoplanet shkëmbor ka të ngjarë të ketë një fushë magnetike dhe ofron një metodë premtuese për të mësuar më shumë.”