Vëllai i Sali Mustafës flet nga Haga: Gjatë këtij gjykimi ka pasur gjithçka, por vetëm drejtësi jo

Arben Mustafa, vëllai i Sali Mustafës, pjesëtarit të UÇK-së që u dënua për krime lufte me 26 vjet burgim, do t’i bashkohet po ashtu mijëra protestuesve nesër në kryeqytetin holandez.


Mustafa tha se nuk është aspak i kënaqur me gjyqin që po u bëhet pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke shtuar se vetëm drejtësi nuk ka aty.

Ai tha se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe se shpreson që ata të lirohen nga akuzat.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë këtij gjykimi ka pasur gjithçka, por vetëm drejtësi nuk ka pasur. Duke besuar në luftën e drejtë dhe në pafajësinë e figurave kyçe udhëheqëse, shpresojmë që vendimi të jetë lirues. Jemi të pakënaqur me gjithçka gjatë këtij procesi, asgjë nuk ka ecur në rregull”, u shpreh Mustafa.

Shqiptar Gubetini, organizator i marshit, tha se ka tre muaj që e kanë organizuar këtë marshim dhe se beson thellë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ka që tre muaj që e kemi organizuar, pjesëmarrje nga gjitha shtetet e Evropës, besojmë thellë në pafajësinë e të burgosurve, çlirimtarëve tanë, për këtë edhe do të protestojmë nesër. Kjo gjykatë po shkon në drejtim të një gjykate politike. Ne po kërkojmë të jetë gjykatë e pavarur dhe e drejtë”, u shpreh Gubetini.