Shitet targa me e shtrenjtë në botë

Një targë është shitur për 15 milionë dollarë në një ankand të hapur për bamirësi në Dubai.


Sipas organizuesve të Emirates Auction, ky është çmimi më i lartë në botë që është paguar ndonjëherë për një targë.

Ndërsa të shkruar ka vetëm “P7,” targa theu rekordin e vendosur më parë nga Saeed Abdul Ghaffar Khouri, i cili bleu një targë për 52.2 milionë dirham ose 14.2 milionë dollarë në shkurt të vitit 2008 në një ankand të organizuar nga e njëjta kompani.

Të ardhurat nga shitja e targës do t’u jepen “One Billion Meals”, një organizatë që drejtohet nga Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sundues i Dubait dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe, për të ndihmuar komunitetet në nevojë rreth e qark botës në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Shitja u bë më herët gjatë këtij muaji. Në këtë ankand u shitën po ashtu targa nga 800,000 dhe 38,000 dollarë.