A ekziston ngjallja e të vdekurve? Teologu shpjegon dyshimet

Teologu Miron Çako ka folur për botën e përtejme, sa e vërtetë është jeta pas vdekjes. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se për të krishterët ngjallja e të vdekurve ekziston, pasi shembulli më i mirë është Jezus Krishti.


Teologu ka theksuar do të ngjallen të gjithë të vdekurit, pra trupat tanë do të bashkohen përsëri me shpirtrat, pasi njeriu është një qënie shpirt-trup.

“Ringjallja e të vdekurve për ne ekziston, sepse ne të krishterët besojmë në ringjalljen e Krishtit. Po ta dish ne jemi në atmosferën që presim të festojmë ngjalljen e Krishtit, Pashkën, më 16 prill dhe për ne vdekja është një gjumë. Ashtu si ne që çdo ditë flemë dhe fjetja është një ikonë e vdekjes, një shëmbëllesë e vdekjes që t’i ndahesh nga realiteti dhe kalon në një pasivitet, sepse truri pushon atë kontaktin me botën e jashtme.

Pastaj ne zgjohemi dhe zgjimi është një lloj ngjallje. Ne të krishterët, nuk themi vdiq, po fjeti në zotin, sepse ne besojmë në ngjalljen e të vdekurve. Sot varri i Krishtit është bosh dhe ky varr bosh na tregon se ky njëri e mundi vdekjen. Prandaj ne besojmë në ngjalljen e të vdekurve, siç thuhet ka një lindje, ka një vdekje, por ka dhe një ngjallje në ardhjen e dytë të Krishtit që është edhe fundit i historisë së njerëzimit në kohë dhe hapësirë. Këtu do të ngjallen të gjithë të vdekurit, pra trupat tanë do të bashkohen përsëri me shpirtrat, njeriu është një qënie shpirt-trup. Trupi është një shtëpi, një banesë, një makinë, merre si të duash ti, një instrument i shpirtit. Shpirt je ti dhe unë, futur brenda kësaj banese, kësaj makine, vdekja është ndarja e shpirtit nga trupi. Edhe në momentin që ndahet shpirti nga trupi, trupi pushon aktivitetin, sepse trupi i jep jetë trupit. Trupi kthehet në dhe sepse të gjithë elementët kimik të trupit tonë janë dhe, po ta hapësh varrin pas një kohe do ta shohësh”, tha ndër të tjera ai.