Takimi i liderëve me Ramën, Saliu: Takim vëllazëror përtej humnerës së urrejtjes ndërpartiake

Takimi i liderëve të partive politike shqiptare me kryeministrin Edi Rama në Tiranë ishte vëllazëror, pavarësisht dallimeve politike. Kështu e cilësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe vetë pjesëmarrësit e takimit. Sipas tyre takimet e tilla duhet të jenë me të shpeshta për të shpërfaqur unitet mes spektrit politik shqiptar.


“Të gjithë e quajtën takim vëllazëror dhe kështu le të mbetet. Takimet e këtij niveli duhet të ndodhin shpesh për të shpërfaqur të paktën unitetin mes partive shqiptare të cilat kanë rënë në humnerën e urrejtjes me njëra-tjetrën. Partitë shqiptare nuk i kanë ato vijat e kuqe në të cilat nuk mund t’i ndajnë dot interesat partiake nga ato kombëtare dhe këtu nisin kontradiktat mes tyre, sulmet mes tyre nga të gjithë palët.”, thotë gazetari Urim Saliu.

Sipas tij, Lëvizja Besa duhej të ishte në këtë takim vetëm për një fakt të vetëm, sepse aty ishin bashkë Taravari dhe Thaçi, që nuk është se nuk ekzistojnë kontradikta mes tyre. Madje ato janë të thella se kushdo tjetër.

“Kasami duhej të ishte atje vetëm edhe për shkakun se do shuante zërat se është me këtë ose atë palë. Kasami duhej të ishte atje sepse në fund të fundit shkon atje ku është shumica. Paramendo partitë që ishin bashkë te Rama të shkojnë në një koalicion në zgjedhjet tjera, çfarë mund t’i ndodhë një partie të vetme kundër të gjithëve”, nvizoi Saliu për Indeks.mk

Në takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut është diskutuar për sfidat dhe rrugëtimin e të dy shteteve drejt anëtarësimit në BE.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit tha se takimi ishte për rrugëtimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociata për anëtarësim në BE.

“Takimi i sotëm ishte për rrugëtimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociata për anëtarësim në BE. Kishte një ligjërim nga kryeministri i Shqipërisë për përpjekjet e përbashkëta që janë bërë, si dhe përpjekjet që duhet bërë pas përfundimit të skriningut drejt hapjes së kapitullit të parë. Parashikimet ishin se tani do të jetë më e vështirë rruga, kështu që të dyja vendet tani duhet të koordinohen, në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën për anëtarësim në BE. Një nga mënyrat thuajse të vetmet për ta parandaluar emigracionin, është anëtarësimi në BE. Është përmendur edhe shembulli i Spanjës dhe Portugalisë, njerëzit e të cilëve janë kthyer në vend pas anëtarësimit në BE”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkohë i pyetur për mos prezencën e Bilall Kasamit, Ahmeti tha se kanë treguar papjekuri politike.

Kryetari i ASH-së Arben Taravari, theksoi se takimi ishte analizë e përgjithshme e gjendjes në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

“Takimi ishte analizë e përgjithshme në të dy vendet. gjithashtu biseduam ardhmërinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kemi pasur sfida, ndërsa tani si dy shtete të NATO-s urojmë dhe shpresojmë që së bashku t’i vazhdojmë negociatat për anëtarësim në BE. Të gjitha partitë që ishin këtu e përkrahim atë që Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë rrugën për në BE. Kemi diskutuar edhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në RMV. Ishte një bisedë e relaksuar, më shumë si darkë e fillimvitit”, tha Taravari.

Ndërsa kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, pas këtij takimi ka deklaruar se nuk kanë folur për diçka konkrete, përpos së ardhmes së përbashkët të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.