Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Japonisë, Ocuka Kazuja

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Japonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ocuka Kazuja.


Siç informon kabineti i tij, në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, presidenti Pendarovski ka theksuar se Maqedonia e Veriut i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Japoninë duke vlerësuar se shfrytëzimi i mundësive në planin bilateral dhe zbatimi i projekteve në kuadër të Nismës Japoneze për Bashkëpunim me Vendet e Ballkanit Perëndimor, kontribuojnë për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe mundësi për investime nga ana e kompanive japoneze në rajon, si dhe ndarjen e përvojave dhe njohurive japoneze, që, siç ka thënë, dukshëm ndikon ndaj përforcimit të mëtutjeshëm dhe afrimit mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në atë drejtim, presidenti Pendarovski ka theksuar se Japonia është në mesin e donatorëve më të mëdhenj të Maqedonisë së Veriut duke kontribuuar me realizimin e ndihmës teknike për një varg projektesh në zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimit të shëndetësisë, bujqësisë, arsimit, mjedisit jetësor, kulturës, mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, etj.

Presidenti Pendarovski ka vlerësuar se sot, në kushte të sigurisë së rrezikuar evropiane pas pushtimit rus në Ukrainë, jemi të ngarkuar me sfida të reja të cilat kërkojnë bashkim dhe mençuri për përballje me paqen dhe stabilitetin në tokën evropiane, por edhe përpjekjeve shtesë për përballje me krizat energjetike dhe ekonomike të cilat i kapluan shoqëritë tona.

“Bashkëpunimi i ndërsjellë dhe mbështetja në këtë plan është prioritet për qeveritë dhe besoj se Maqedonia e Veriut dhe Japonia mund të realizojnë bashkëpunim të konsiderueshëm edhe në këtë plan”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Ambasadori Kazuja ka vlerësuar se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mund të zhvillohen edhe më shumë veçanërisht në sferën e dialogut politik, ekonomi, kulturë dhe shkëmbimet e qytetarëve, duke iu afruar 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 2024.

Duke theksuar se Japonia i kushton rëndësi të madhe stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku zhvillimi stabil i Maqedonisë së Veriut luan rol të rëndësishëm, ambasadori Kazuja ka thënë se duke u nisur nga ky qëndrim, Japonia gjithnjë i ka mbështetur dhe do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për reforma të vendit tonë për integrimin euroatlantik.