Grubi: Njoftuam presidentin Begaj se sa të rëndësishëm janë për ne, “One Stop Shop” dhe Korridori 8

Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi së bashku me nënkryetarin e BDI-së, Arbër Ademi dhe Sekretarin general të Partisë, Faton Ahmeti kanë shoqëruar kreun e Integristëve, Ali Ahmeti në takimet që ky i fundit i bëri me zyrtarë të lartë në Shqipëri, pas takimit të liderëve të organizuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.


Në një postim në rrjetet sociale, Grubi ka njoftuar se së bashku me kryetarin Ahmeti kanë takuar presidentin shqiptar, z Bajram Begaj.

Grubi gjithashtu njofton se presidenti Begaj është njoftuar edhe për rëndësinë që Qeveria e vendit tonë i kushton realizimit të projekteve të vendkalimeve të përbashkëta kufitare One Stop Shop, Korridorit 8.

Njoftimi i plotë:

Vizitën në Tiranë me kryetarin Ali Ahmeti, Arbërin dhe Fatonin e vazhduam në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, ku u mirëpritëm nga Presidenti, z. Bajram Begaj.

Në fokus të bisedës sonë kishim bashkëpunimin ndërqeveritar mes vendeve tona për të lehtësuar qarkullimin dhe për të thelluar bashkëpunimin ekonomik si domosdoshmëri të zhvillimit cilësor.

Njoftuam Presidentin Begaj për rëndësinë që Qeveria e vendit tonë i kushton realizimit të projekteve të vendkalimeve të përbashkëta kufitare One Stop Shop, Korridorit 8 rrugor dhe hekurudhor, projektit të Portit të thatë në Strugë dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara bilaterale mes vendeve tona.