Antonio Conte është vetëm 90-minuta larg objektivit të tij për të kualifikuar Tottenham-in në Champions League-n e sezonit të ardhshëm.

Tekniku italian ia doli të ndryshonte “fytyrën” e Spurs-ave pas një starti të dobët të kampionatit, ndërsa tashmë 52-vjeçari po mendon që me anë të disa përforcimeve në merkato të bëjë të mundur që në sezonin e ardhshëm, skuadra të ngrihet në nivelin e pretendentëve për titullin e Premier League.

Një nga objektivat e Contes është mesfushori i Aston Villa-s, John Mcginn. Futbollisti i kombëtares skoceze ka qenë autor i një sezoni pozitiv teksa ka ruajtur një ritëm konstant dhe është aktivizuar në 33 ndeshje të këtij sezoni.

Madje, 27-vjeçari ka regjistruar edhe tre gola dhe tre asiste duke shfaqur edhe aftësitë në ofensivë.

Mbetet, për t’u parë tashmë nëse drejtuesit e Tottenham do të arrijnë të bindin Aston Villa-n të heqë dorë nga mesfushori të cilin e kanë pjesë të tyren prej vitit 2018 kur e transferuan nga Hibernian për shumën e 2.5 milionë paundëve.