18.6 milionë euro. Kaq para i ka ndarë Banka Botërore për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.


Kjo në kuadër të Projektit për Qasje Gjithëpërfshirëse për Forcimin e Sistemit Shëndetësor në Kosovë (KOMPAS).

Ky projekt synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe qeverisjen për cilësinë e kujdesit në sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Do të rrisë ofrimin e shërbimeve dhe financimin e shëndetësisë dhe do të përmirësojë sistemet e informacionit. Kjo do t’u mundësojë ofruesve të shërbimeve të regjistrojnë dhe ndajnë informacionin thelbësor shëndetësor, duke lejuar monitorimin dhe matjen në kohë reale të performancës së sistemit shëndetësor”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv

“Ndërhyrjet e projektit do të përqendrohen në përmirësimin e qeverisjes dhe mekanizmave institucionalë për cilësinë e kujdesit, monitorimin, ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe koordinatorëve të cilësisë për përdorimin e udhëzimeve klinike, mbështetjen për Inspektoratin Shëndetësor, investimin në infrastrukturën kritike dhe ngritjen e kapaciteteve për gatishmëri dhe reagim të sistemit të shëndetit publik, duke ofruar mbështetje teknike për ndërhyrjet financuese shëndetësore që do të ndihmojnë në zhvillimin e kapaciteteve strategjike për blerje të shërbimeve me cilësi të lartë. Projekti do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e një sistemi të integruar të informacionit shëndetësor (IHIS) për të përmirësuar cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve”.

“Ka pasur progres në zhvillimin e kornizës ligjore dhe kushteve të tjera për forcimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, por për të përmirësuar cilësinë e përgjithshme të kujdesit për popullatën, themeli i sistemit shëndetësor të Kosovës duhet të forcohet më tej”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas BB-së mbështetja financiare e miratuar nga Bordi për këtë projekt është 18.6 milionë euro (ekuivalente me 20 milionë dollarë), një kredi me kushte koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), pjesë e Bankës Botërore. Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë projekt është 25 vjet, e cila përfshin një grejs-periudhë pesëvjeçare.

Pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një marrëveshje për financimin e projektit, e cila më pas duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që fondet e projektit të vihen në dispozicion për disbursim për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Në fund thuhet se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do të jetë Agjencia Zbatuese dhe do të jetë përgjegjëse për zbatimin e përgjithshëm të projektit.