Ukraina: Rusia humbi më shumë se 30 tanke, 130 automjete të blinduara, 7 avionë

Komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Zaluzhnyi tha se “në këto orë, armiku nuk i ka realizuar planet e tij”


Kiev

Komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi tha se humbjet e Rusisë në ditën e parë të sulmit në Ukrainë u vlerësuan në më shumë se 30 tanke, rreth 130 automjete të blinduara, 7 avionë dhe 6 helikopterë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zaluzhnyi në një deklaratë në Facebook tha se “në këto orë, armiku nuk i ka realizuar planet e tij”.

Duke theksuar se humbjet e Rusisë kundër vendit të tij në ditën e parë u vlerësuan në më shumë se 30 tanke, rreth 130 automjete të blinduara, 7 avionë dhe 6 helikopterë, Zaluzhnyi tha se ushtria ukrainase vazhdoi luftimet në Kharkov, Kherson, Sumy, Akhtyrka dhe Siversk.

Pas ngjarjeve në sheshin “Maidan” në Kiev, Ukrainë, në vitin 2014, një qeveri properëndimore erdhi në pushtet dhe presidenti i atëhershëm Viktor Janukoviç u largua nga vendi. Rusia më pas aneksoi ilegalisht Krimenë. Separatistët kanë shpallur të ashtuquajturat administrata në rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku shumica e popullsisë është me origjinë ruse. Më pas shpërthyen përleshjet e përgjakshme midis forcave separatiste pro-ruse dhe ushtrisë ukrainase.

Marrëveshjet në Minsk u nënshkruan në vitet 2014 dhe 2015 me ndërmjetësimin e fuqive perëndimore. Megjithatë, shkeljet e armëpushimit vazhduan. Deri në shkurt, rreth 14 mijë persona humbën jetën në përleshjet.

Rusia tërhoqi vëmendjen e publikut duke filluar të vendosë dhjetëra mijëra trupa në kufirin me Ukrainën në fund të vitit 2021. SHBA-ja pretendon se Rusia po përgatitej për një pushtim, por Moska zyrtare e mohonte me këmbëngulje. Ndërsa vendet perëndimore kërcënuan Rusinë me sanksione, qeveria e Moskës njohu autoritetet separatiste në Donbas dhe nisi një operacion ushtarak në territorin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët, duke pretenduar se qëllimi i Moskës është “të mbrojë njerëzit që u ekspozuan ndaj gjenocidit të Kievit dhe të pastrojë Ukrainën nga nazizmi dhe militarizmi”.