Toleranca e harruar dhe e dhunuar

Bashkim Aliu


Në kohën e sotme flitet me të madhe për tolerancë, dhe perëndimi prezantohet si mishërim i tolerancës, mirëkuptimit, mundësive të barabarta për të gjithë dhe mosdiskriminimit. Por, në krejt këtë që flitet për perëndimin në mileniumin e tretë, është harruar, bile që është edhe më keq, është dhunuar toleranca që kultivuan muslimanët shekuj më parë, e që sot u bëhet zullum duke u bërë propagandë e egër dhe e padrejtë kundër tyre, për t’u treguar si nejrëzit më jo tolerantë dhe më jo bashkëpunues me tjerët. Por ejani të lexojmë bashkë për disa momente.
Gjeografi i njohur, el-Makdisi, kishte vërejtur se në vitin 995 numri më i madh i bankierëve dhe këmbyesve të monedhave në Siri kishin qenë hebrenj, ndërsa një numër i madh i administratorëve dhe mjekëve kishin qenë krishterë.
Vallë, a nuk flet kjo se hebrenjtë dhe krishterët nuk kanë qenë të diskriminuar dhe të penguar nga jeta publike dhe veprimtaritë ekonomiko-financiare në shtetin islam, para më se njëmijë vjetësh?!
Gjatë periudhës së Abasidëve u ndërtuan shumë kisha dhe sinagoga të reja. Benjamini nga Tedula, rabin hebre, gjatë vizitës në Bagdad në vitin 1168 konstatoi se aty ekzistonin 23 sinagoga dhe dhjetë shkolla fetare judaiste…Gjatë lulëzimit të kulturës arabo-islame në Spanjë, hebrenjtë arritën pozita të larta shtetërore. Shembulli më evident është hebreu Hasdai, i cili ishte ministër i Punëve të Jashtme gjatë kalifatit të Abdurrahmanit të Tretë, d.m.th., aty kah mesi i shek.X. Kur në vitin 1970 një shtëpi botuese izraelite publikoi një varg librash me titull “Thesari i mendimit hebre”, të gjashtë librat ishin shkruar në Spanjë gjatë periudhës kohore ndërmjet viteve 1050-1428.
Sundimtarët Osman që nga viti 1326 u kishin lejuar hebrenjve të ndërtonin sinagoga dhe shkolla, liri të plotë udhëtimi, zgjedhje të profesionit dhe të vendbanimit. Në kohën kur hebrenjtë përjetonin persekutime të rënda anembanë Evropës, në Perandorinë Osmane merrnin pjesë në pozita të ndryshme të larta shtetërore, ndër të tjerash, edhe si diplomatë dhe njerëz të biznesit.
Gjatë periudhës së emevitëve ka mundur të dëgjohet zëri i këmbanave të kishave në qytetet siriane dhe irakiane, ndërsa kishat qëndronin afër xhamive.
Pra, a nuk flet kjo se jomuslimanëve u janë respektuar të drejtat njerëzore nga ana e muslimanëve, atëherë kur bota nuk ka ditur për këto të drejta?! A nuk flet kjo se atyre u është garantuar e drejta e shkollimit dhe të drejtat kulturore, që kanë shkruar kaq shumë libra në Spanjë?! Dhe, poashtu, a nuk flet kjo se jomuslimanëve u janë njohur edhe të drejtat fetare, ngase këmbanat e kishës janë dëgjuar në qytetet me shumicë muslimane?! Kjo ka qenë më tepër se një mijë vjet më herët. E sot, në mileniumin e tretë, në disa vende evropiane, me referendum ndalohen minaret e xhamive, si dhe nuk vjen në pyetje të thirret ezani me altoparlantë që të dëgjohet edhe jashtë.