Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia.

Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

“Furnizimi në fushën e mbrojtjes është vendim kombëtar” – kështu i komentuan në NATO paralajmërimet e Serbisë për furnizim me armë ruse.

Megjithatë, NATO bëri thirrje për ulje të tensioneve.

“Njëkohësisht, është me rëndësi që të gjitha palët të kontribuojnë në uljen e tensioneve në rajon dhe të kultivojnë paqe e stabilitet”, thuhet në deklaratën me shkrim të NATO-s, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty theksohet se Serbia dhe NATO-ja janë partnere të afërta dhe se këtë vit u shënua 15-vjetori i anëtarësimit të Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Serbia, siç kanë theksuar disa herë zyrtarët, është shtet ushtarakisht neutral, që nuk pretendon të anëtarësohet në NATO. Krahas bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Serbia bashkëpunon edhe me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Krahas Kornetit edhe Panciri
Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 25 nëntor se nga Rusia në Serbi do të arrijnë së shpejti pajisje të reja ushtarake.

“Fjala është për Kornet, respektivisht pengesa të lëshuara për Kornet dhe raketa Kornet për mjete anti-tank. Jashtëzakonisht të rëndësishme për terrenin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Më shumë detaje për këto furnizime, shtatë ditë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, dha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është rënë dakord për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes kundërajrore (PVO) “Pancir S1” dhe raketave anti-tank “Kornet”.

Këto informata, megjithatë, nuk janë publikuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, lidhur me takimin Vulin-Shoygu.

Po në të njëjtën ditë, Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi mediat për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës.

Ndonëse në njoftim nuk përmendeshin furnizimet e reja të Serbisë me armatim rus, për të cilat njoftuan zyrtarët serbë, Ambasada e Ukrainës porositi qytetarët e Serbisë:

“Mos dëgjoni çfarë thotë Kremlini, shikoni çfarë bënë Kremlini”.

Në njoftim po ashtu përkujtohej aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Për këtë veprim, Rusia ende ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Shormaz: Nuk na duhet bashkëpunimi me Rusinë për mbrojtje
Dragan Shormaz, deputet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) me në krye Aleksandar Vuçiqin, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk ka nevojë të bashkëpunojë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, marrë parasysh se përcaktimi i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Duhet ta përgatisim shtetin për këtë anëtarësim. Andaj, nuk na duhet bashkëpunimi strategjik me Rusinë”, tha Shormaz, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Parlamentit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se furnizimi me armatim nga Rusia dhe Kina, bazuar në vlerë, është dukshëm më i vogël në raport me furnizimet nga shtetet anëtare të NATO-s.

“Kjo është imtësi, nuk është ndonjë furnizim i madh dhe nëse e shohim çfarë ndodhi në këto 20 vjetët e fundit, por edhe në një apo dy vjetët e fundit, del se me pajisje dhe gjithçka tjetër që i duhet Ushtrisë së Serbisë, furnizohemi më shumë nga SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-së, sesa nga Rusia dhe Kina”, tha Shormaz.

Ai pranoi se qëndrime të këtilla në partinë e tij kanë pak anëtarë. Në pyetjen nëse ka mirëkuptim brenda partisë, nga e cila vijnë ministra dhe zyrtarë që angazhohen për rikthim të politikës së jashtme serbe kah Rusia, Shormaz u përgjigj:

“Derisa askush nuk më kritikon, do të thotë se ka njëfarë pajtimi, nëse jo përkrahje”.

Shuma rekorde që ndahen për mbrojtje
Paralajmërimi për blerjen e armatimit të ri nga Rusia u bë dy vjet pasi që vetë presidenti serb tha se Serbia nuk do të furnizohet më me armatim.

“Do të ketë reforma shtesë të ushtrisë sonë. Do ta bëjmë akoma më mobile dhe më të shpejtë”, deklaroi Vuçiq më 3 dhjetor të vitit 2019, në prag të udhëtimit në Rusi për një takim me Putinin.