Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar me 34 vjet burgim gjashtë të pandehur për shkak se më 16 dhe 14 shkurt të vitit 2021, i kanë mbajtur nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një villë në Komunën e Novobërdës të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.


Në njoftimin e Gjykatës thuhet se “Fillimisht të akuzuarat M. I. dhe M. Z. merren vesh me të akuzuarit e tjerë që të i joshin të dëmtuarit për marrëdhënie seksuale, mirëpo pas hyrjes në villë, e akuzuara M. I. në koordinim me të akuzuarit, kërkon që të hyjnë vrullshëm nën presionin – kërcënimin e armëve, më pas prangosin të dëmtuarit dhe i godasin me kondak të armës”.

“Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit V. K.(1), duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarën M. I. i ka shqiptuar me 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarin B. N. e ka dënuar me 7 (shtatë) vite burgim, të akuzuarin V. K.(2) me 7 (shtatë) vite burgim dhe të akuzuarën M. Z. me 4 (katër) vite burgim”.