Ylli i Bajernit, Xhoshua Kimish është një ndër lojtarët që ka dalë hapur që nuk dëshiron të vaksinohet. Në një intervistë, mbrojtësi gjerman ka shpjeguar arsyet se përse nuk do të vaksinohet duke mos e përjashtuar mundësinë e vaksinimit në të ardhmen.

“Kam shqetësime për mungesën e studimeve afatgjata. Sigurisht që jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia. I ndjek të gjitha masat higjienike dhe bëj analizat një herë në dy-tre ditë. Secili duhet të marrë vendimin për veten e tij.

Solidariteti është i nevojshëm sepse shëndeti është gjëja më e rëndësishme, të gjithë mund të ndihmojnë. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e praktikoj atë që predikoj. Ne i kemi dhuruar para Unicef ​​-it në mënyrë që ata të bëjnë vaksinat në vendet që nuk kanë siguruar vaksina. Nëse njerëzit vendosin se duan të vaksinohen, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që ata të munden.

Më duket turp që në këtë debat ka vetëm të vaksinuar dhe jo të vaksinuar. I pa vaksinuari duket se është i barabartë me mohuesin e koronës ose është kundër vaksinimit. Por ka njerëz të tjerë që kanë shqetësime, pavarësisht nga arsyet e tyre, dhe unë mendoj se ne duhet ta respektojmë vendimin përderisa ata i përmbahen masave.

Unë nuk jam duke thënë kategorikisht se nuk do të vaksinohem, unë ende kam disa dyshime. Absolutisht që është e mundur që të vaksinohem në të ardhmen’’, është shprehur Kimish.