Tragjedia në Tetovë, LVV e PDK u shprehin ngushëllime familjarëve që humbën të dashurit e tyre

Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë u kanë shprehur ngushëllime familjeve të prekura nga tragjedia në Tetovë.


Përmes postimeve në Facebook, këto dy parti kanë thënë se bashkëndjejnë dhimbjen me të prekurit nga zjarri që shpërtheu mbrëmë në spitalin modular në Tetovë.

“Ngjarja e mbrëmshme tragjike e djegies së spitalit në Tetovë që la 14 të vdekur e shumë të lënduar na ka tronditur dhe prekur thellë. Një shpërthimi të tillë brenda spitalit, në këtë kohë kur të gjitha segmentet e shoqërisë dhe shtetit janë vënë në dispozicion të mirëqenies së pacientëve e kundër një virusi që po na kërcënon në vazhdimësi, i duhet një hetim serioz prej organeve të rendit brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët e atyre që humbën më të afërmit e tyre. Duke bashkëndjerë dhimbjen me ta, të lënduarve të tjerë ju urojmë shërim sa më të shpejtë e kthim te familjarët e tyre. Ngjarje të rënda e tragjike si kjo na mbajnë bashkë e pranë njëri tjetrit”, thuhet në postimin e LVV-së.

Ndërkaq, ngushëllime kanë shprehur edhe nga PDK-ja.

“Thellësisht të prekur nga tragjedia që ka kapluar Tetovën mbrëmë. Partia Demokratike e Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjitha familjet që humbën më të dashurit e tyre. Në një bisedë me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Artan Grubi, e poashtu edhe me Kryetaren e Tetovës, znj.Teuta Arifi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur gjithë solidaritetin tonë me familjet e viktimave, qytetarët e Tetovës dhe institucionet lokale e qendrore. Kosova do të jetë përherë pranë tyre”, thuhet në postimin e tyre.