PO KULTURA E BANIMIT…!?

Përderisa shqiptarët mbajnë debate të ndryshme për kulturën, si tërësi e arritjeve të një populli në
fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor, megjithatë në këtë drejtim ngecjet janë
evidente. Në fakt, shqiptarëve u mungon edhe ajo që është pjesë e pandashme e përditshmërisë, u
mungon, ndër të tjera, edhe kultura e banimit, sidomos në objektet e quajtura ndërtesa, ku banimi merr
dimensionin e bashkësisë, i cili dimension kërkon, mbi të gjitha, sjellje qytetëruese. Edhe sot e kësaj dite
në ndërtesat me shumicë shqiptare, nga katet e larta, pa fije turpi, hidhen qeset e mbushura me plehra.
Ose, së fundi, është bërë “trend” që plehrat të lihen në ashensor dhe shtypet butoni që çon në katin e
poshtëm, kurse autori i këtij krimi mbetet anonim. Të mos flasim për korridoret e shndërruara në depo
me materiale të ndryshme, përfshi edhe bidonët me turshi dhe shumë anomali tjera, të cilat dëshmojnë
për mungesën e madhe të kulturës së banimit, që krijon një pasqyrë tejet të shëmtuar. Kjo tregon se
gjendja shpirtërore, morale dhe religjioze e shqiptarëve akoma nuk është liruar nga ndryshku i
prapambetjes. Mungesa e kulturës së banimit është e lidhur ngushtë me mungesën e edukatës
familjare, përkatësisht mungesën e cilësive shpirtërore, mendore, fizike, morale, estetike, mungesën e
shprehive për të manifestuar sjellje qytetëruese. Kur kjo na mungon, atëherë çdo debat tjetër për
kulturën është thjeshtë debat i kotë…/HEJZA/