Napoli e mund Cagliarin dhe e forcon kreun e Serie A, me Rrahmanin titullar

Napoli e ka mposhtur lehtësisht 2:0 Cagliarin, duke e vazhduar ecurinë e përkryer të fitoreve radhazi në Serie A këtë sezon, me Amir Rrahmanin që bëri një paraqitje tjetër të mirë si titullar.


Victor Osimhen e kaloi Napolin në epërsi pas vetëm 10 minutave lojë, kur shënoi nga rreth dy metra largësi pasi u shërbye nga Piotr Zielinski në Diego Armando Maradona Stadium.

Lorenzo Insigne e dyfishoi epërsinë e skuadrës së Luciano Spallettit duke shënuar nga penalltia në minutën e 57-të, pasi Osimhen u ndal me faull nga Diego Godin në zonë.

Kjo ishte fitorja e gjashtë në po aq ndeshje në këtë fillimsezon për Napolin, që i ndihmon napolitanëve të forcojnë vendin e parë në tabelën e Serie A.

Napolitanët tani kanë pikë maksimale, 18, duke e lënë mbrapa Milanin me 16 dhe kampionin në fuqi, Inter, me 14.

Cagliari, ndërkohë, është ende në kërkim të fitores së parë në sezonin e ri, pasi ka humbur katër herë dhe ka barazuar dy herë deri tani, duke rënë në vendin e parafundit në tabelë.

Kapiteni dhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, luajti titullar për ndeshjen e dytë radhazi, megjithëse druhej për gjendjen e tij shëndetësore pas një lëndimi që e kishte pësuar në ndeshjen e kaluar kundër Sampdorias.

Pasi tri ndeshjet e para i shikoi nga stoli, 27-vjeçari nga Prishtina luajti titullar në tri ndeshjet e fundit në ligë, duke e bindur Spallettin më shumë se greku Kostas Manolas./