Kasami: Në këto zgjedhje ne u ofrojmë një model të ri komunave urbane dhe rurale

Lëvizja Besa sonte fushatën për zgjedhjet lokale e hapi nga qyteti i Shkupit ku edhe promovoi kandidatët për kryetar komunash dhe listën e këshilltarëve. Të pranishmëve me fjalim iu drejtua kryetari i saj, Bilall Kasami, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës. Kasami deklaroi se Tetovës i duhet ndryshim, dhe ai ndryshim do të bëhet përmes Lëvizjes Besa.


“E dimë se shumica e qytetarëve për shkak të keqmenaxhimit të deritanishëm nga oponentët tanë, kanë humbur besimin tek pushteti lokal. Në këto zgjedhje ne ju ofrojmë një model të ri komunave urbane dhe rurale. Do të rikthejmë besimin e qytetarit tek komuna që gjithkush ta shoh komunën si shtëpinë e vetë. Ne do të jemi transparent në menaxhimin e mjeteve financiare publike. Me fitoren tonë keqpërdorimeve financiare në komuna ju vjen fundi”, deklaroi Kasami.

Ndërkohë, shefi i Shtabit zgjedhor, Arjanit Hoxha u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkëngjiten Lëvizjes Besa, sepse siç tha, “Besa është e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë se Veriut”.

“Programi i Besës ka pak fletë por është më i miri dhe më konkreti, ndërsa ata që nuk lan gjë pa betonizuar pas 20 viteve u është kujtuar gjelbërimi”, tha Hoxha.

Nënkryetari i saj njëherësh edhe kandidat për Çairin, Kastriot Rexhepi deklaroi se “kundërkandidati i ASH-AAA-së nuk ka përvojë udhëheqëse dhe nuk është dëshmuar si menaxher, ndërsa kandidati i BDI-së premtimet e katër viteve të kaluara i ka pasur si një libër të palexuar, është i padëshiruar”.

“Gostivari është zaptuar nga dy njerëz dhe dy parti politike, të cilët jo vetëm që e kanë shndërruar në një arenë përplasjesh individuale, por edhe në një fushë të hakmarrjes ndërmjet taborëve të tyre”, tha nga ana tjetër, kandidati për komunën e Gostivarit, Fadil Zendeli.

Në këto zgjedhje Lëvizja Besa do të garojë me 11 kandidatë për kryetar komunash si dhe me 23 lista për këshilltarë komunal, përfshirë këtu edhe Qytetin e Shkupit.

“Slogani i fushatës është ‘Me ka krejt’, që simbolizon seriozitetin politik për të garuar në zgjedhjet lokale pa kalkulime si dhe duke ofruar kandidatët më të mirë, në mesin e të cilëve është edhe kryetari i partisë, Bilall Kasami, i cili garon për kreun e Komunës së Tetovës, dy nënkryetarët, Fadil Zendeli për Gostivarin dhe Kastriot Rexhepi për Çairin, si dhe kandidatë të tjerë që janë dëshmuar si profesionistë të vërtetë në fushëveprimin e tyre, por mbi të gjitha të gatshëm për të pranuar këtë sfidë dhe të bindur se me dinjitet dhe krenari do përfaqësojnë zërin e qytetarëve”, theksojnë nga Lëvizja Besa.