Juventusi turpërohet nga Empoli, mbetet prapa në garën për top-katërshe

Juventusi ka pësuar humbje ndaj Empolit, duke bërë kështu një hap prapa në garën për një vend në top-katërshe të Serie A.


Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Carlo Castellani” përfundoi me rezultatin 4:1

Vendasit e hapën serinë e golave në minutën e 18-të, me Francesco Caputon që shënoi nga penalltia.

Vetëm tre minuta më vonë ishte Sebastiano Luperto që dyfishoi epërsinë e tyre.
“Të kaltërtit” golin e tretë e shënuan me të filluar pjesa e dytë, me Caputon që shënoi në minutën e 48-të.

“Zonja e Vjetër” golin e vetëm e gjeti në minutën e 85-të, me autor Federico Chiesan.

Empoli “goditjen” e fundit ia dha mysafirëve në fundin e ndeshjes. Roberto Piccoli shënoi në minutën e tretë shtesë – 90+3’.

Empoli pas kësaj fitore ka 42 pikë dhe ndodhet në pozitën e 14-të.

Ndërkaq, Juventusi, që sot u dënua me minus dhjetë pikë, është i shtati në tabelë me 59 pikë.