Borrelli: Çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë ditës së enjte ka thënë se çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë.


Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë rënë dakord dhe se marrëveshja duhet të zbatohet, shkruan Klan Kosova.

“Do të flas për takimin e Ohrit (në samitin e liderëve të BE-së) dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për ta vënë në mëdyshje”, ka thënë Borrell në një deklaratë për media.

Tutje, ai theksoi se marrëveshja duhet të zbatohet nga të dyja palët në mënyrë tërësore.

“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha palët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo. Unë do t’i këshilloja që të mos shënjestrojnë askënd, por të bëjnë punën e tyre”.