Tërmeti në Turqi: Të lënduar dy nxënës nga RMV-ja

Dy nxënës nga Maqedonia e Veriut janë lënduar në tërmetin në Turqinë lindore, njëri me frakturë të rëndë, e cila është trajtuar nga ekipi mjekësor, ndërsa tjetri me lëndime më të lehta. Asnjë nga grupi prej tetë nxënësve dhe mentori i tyre, të cilët në Turqi kanë qëndruar përmes programit “Erazmus Plus”, nuk janë në rrezik për jetën -njofton Ministria e Punëve të Jashtme. Në vend koordinohet dërgimi i ndihmës për viktimat e tërmetit në Turqi, ndërsa kreu i shtetit, institucionet dhe qytetarët shprehin ngushëllime për popullin turk.


Për momentin dihet se nga tetë nxënësit nga Maqedonia e Veriut, të cilët qëndrojnë në qytetin Kahraman-marash, 70 kilometra nga Gaziantepi – epiqendra e goditjes së parë të fuqishme në Turqinë Lindore, dy janë lënduar, njëri me frakturë më serioze, ndërsa tjetri me lëndime më të lehta.

Ministria e Punëve të Jashtme, sic percjell KlanM, njofton se nxënësi më lëndim më të rëndë tashmë është trajtuar nga ekipet mjekësore. Në Kahraman-marash është drejtuar përfaqësuesi diplomatik i Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Ankara, që të ndihmojë në evakuimin e nxënësve.

Për momentin nuk ka informacione për shtetas tjerë të Maqedonisë së Veriut të lënduar në serinë e tërmeteve në Turqi.

Kryqi i Kuq dhe institucione të tjera në vend koordinohen për dërgimin e ndihmave për të prekurit. Presidenti Stevo Pendarovski dhe përfaqësues të tjerë të kreut të shtetit, politikanë dhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut, kanë shprehur ngushëllime për popullin turk.

“Ka shumë viktima dhe është një shkatërim i tmerrshëm, dëshiroj edhe një herë të shpreh ngushëllime për të gjithë të prekurit dhe të njoftoj se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ne si shtet nuk do të mbetemi vetëm në fjalë, por do të ofrojmë ndihmë konkrete.” – tha Stevo Pendarovski.

Paraprakisht, sic njofton KlanM, edhe Ministri I Jashtëm Bujar Osmani, në Facebook njoftoi se përmes kolegut të tij, Mevlut Çavushoglu, ka dërguar mesazhe ngushëllimi për Turqinë dhe popullin turk dhe ka ofruar ndihma humanitare aty ku do të ketë nevojë. /KlanMacedonia/