Vazhdon skriningu sqarues me BE-në, sot filloi analiza shpjeguese për klasterin e dytë – Tregun e brendshëm

Në Komisionin evropian në Bruksel vazhdojnë takimet sqaruese të skriningut, ndërsa sot filloi analiza shpjeguese për klasterin e dytë – Tregu i brendshëm, me theks të veçantë në kapitullin 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit.


Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për çështje evropiane dhe zëvendës negociatorja kryesore e Maqedonisë së Veriut me BE-në, Drita Abdiu Halili theksoi se vendi ka bërë një sërë ndryshimesh lidhur me harmonizimin e legjislaturës nacionale me BE-në në sferën e Lëvizjes së lirë të kapitalit.

Nga SÇE theksojnë se delegacioni ynë do t’i dëgjojë përvojat dhe këshillat e Komisionit evropian për mënyrën se si ne si vend mund t’i përmbushim më mirë kërkesat për integrim të suksesshëm drejt tregut të vetëm të BE-së.

Në takim, shtojnë nga SÇE, gjithashtu u prezantuan edhe propozimet e reja të legjislaturës së BE-së lidhur me sistemet për pagesë të shpejtë të cilat janë në funksion të lëvizjes së lirë të kapitalit.

Lëvizja e lirë e kapitalit paraqet një nga shtyllat themelore të BE-së së bashku me lëvizjen e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve. Përfshin spektër të gjerë të politikave të cilat sigurojnë prosperitet më të madh, mirëqenie ekonomike, vende të reja të punës dhe lëvizje të lirë të kapitalit.

Lëvizja e lirë e kapitalit është baza e tregut të lirë të BE-së. Komisioni evropian sot prezantoi pjesë të legjislaturës së re të BE-së lidhur me luftën kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Më 10 tetor do të mbahet takimi sqarues për Kapitullin 1 lëvizja e lirë e mallrave dhe Kapitulli 3 E drejta e themelimit dhe liria e dhënies së shërbimeve.

Më 27 shtator përfundoi skriningu sqarues për Klasterin e parë “Themelet” apo “Vlerat fondamentale” të BE-së, ku janë përfshirë sundimi i së drejtës, politikat e sundimit të mirë, reformat në administratën publike dhe menaxhimi me financat publike.

Më 8 nëntor pritet të fillojë skriningu bilateral me BE-në dhe do të zhvillohet paralelisht me atë sqaruesin. Në skriningun sqarues BE-ja jep përditësim të tërë asaj që është e re në legjislaturë, duke pasur parasysh atë se kanë kaluar disa vite nga takimet e para sqaruese që i pati vendi me Unionin në vitin 2019. Në skriningun bilateral, ndërkaq, shteti do të duhet ta prezantojë shkallën e harmonizimit të legjislaturës me BE-në, kalendarin për harmonizim të mëtutjeshëm, mënyrën e ndërtimit të kapaciteteve institucionale, administrative dhe të tjera për implementim të saktë të standardeve evropiane.

Skriningu për harmonizim të legjislaturës sonë me atë të BE-së zyrtarisht filloi më 15 shtator, dhe sipas pritjeve do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023.