U kritikuan për marrëveshjen me Rusinë, Beogradi përpiqet ta minimizojë rëndësinë e saj

Ministri i Jashtëm i Serbisë Nikola Selakoviç, u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e një marrëveshjeje me Rusinë, pasi shteti ballkanik, i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, u përball me kritika për nënshkrimin e saj.


Ministri serb nënshkroi të premten marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Plani i konsultimit i paraparë me marrëveshjen pritet të zgjasë për dy vjet, u tha të premten në një deklaratë të ministrisë serbe. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Lajmi i marrëveshjes shkaktoi kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, e cilësuan marrëveshjen si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se marrëveshja është një shenjë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt Bashkimit Evropian dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusi, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.

Ministri serb Selakoviç tha të dielën se tha se marrëveshja është “teknike” dhe lidhej me marrëdhëniet dypalëshe, por jo me çështjet e sigurisë. Serbia, tha ai, ka nënshkruar dokumente të ngjashme me Rusinë që nga viti 1996.

“Sa më përket mua, qeveria mund ta kishte refuzuar një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të. Plani po kritikohet nga ata që nuk e kanë parë”, tha ai.

Serbia mbështetet në përkrahjen e Moskës në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

Ndonëse pohon se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, Serbia ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me Bashkimin Evropian është një nga parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë. /Zëri i Amerikës