Dyshohet se keqpërdori pozitën dhe autoritetin zyrtar, arrestohet

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, sot ka siguruar informata se në parkun e qytetit në Prizren, dyshohej se bëhej prerja, krasitja dhe largimi i drunjve në mënyrë të kundërligjshme.


Pas pranimit të këtyre informatave autoritete policore kanë filluar menjëherë me veprime hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ashtu që në proces janë hasur persona duke prerë dru, ku në vendngjarje është gjetur një kamion i ngarkuar me rreth 15 metër kub dru, si dhe shumë dru të tjera të prera.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe dëshmive të siguruara, janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve tre persona, dhe janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar në pozitën Përgjegjës në Autoritetin Pyjor në Komunën e Prizrenit, ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren dhe kërkesën e kësaj drejtorie, se drutë duhet të dërgoheshin në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë, e me pas Komuna të vendos tutje, ndërsa i dyshuari i kishte mundësuar që drutë rreth 60 metër kub i janë dhënë një kompanie private.

Në proces të prerjes dhe bartjes kanë qenë edhe një mase tjetër e konsiderueshme e druve që pritej të dërgoheshin tek kjo kompani private, dhe me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i dyshuar ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.

Në konsultë me Prokurorin e Shtetit, masa drunore për momentin është në proces të sekuestrimit të përkohshëm, ndërsa i dyshuari pas intervistës në prezencë të mbrojtësit, me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.