Ballkani mund të shpërthejë!

Ballkani, përkatësisht sfidat në rajonin më të gjerë lidhur me tensionet ruso-ukrainase, është sërish në zonën e “kuqe” në hartën e (mos)sigurisë në Evropë. Vetëm gjatë javës që lamë pas, dy autoritete të ndryshme të politikës së jashtme ushtarake perëndimore u dërguan paralajmërime për rrezikun e sigurisë në një kohë kur në rajon po ndodhin rigrupime të rëndësishme politike të brendshme. Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se tensionet janë rritur së fundmi në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, dhe se Aleanca do të vazhdojë të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.


Pas seancës për Ballkanin Perëndimor në takimin Ministror të NATO-s në Riga, Stoltenberg përsëriti se Ballkani Perëndimor është një rajon i rëndësishëm për NATO-n dhe BE-në dhe se ata tani janë dëshmitarë të zhvillimeve shqetësuese, kryesisht për shkak të retorikës së ndarjes në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për shkak të tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar çdo gjë që mund ta dëmtojë atë, sepse na duhen institucionet multietnike, institucionet shtetërore, përfshirë forcat e armatosura. Kështu do të jemi të fokusuar dhe do të vazhdojmë të punojmë me BeH-në”, tha Stoltenberg.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ishte edhe më i drejtpërdrejtë, i cili përpara takimit të Këshillit Ministror të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në Stokholm, në rrjetin social Tëiter shkruajti se “udhëheqësit e BeH duhet të ndërtojnë konsensus për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”. Shumica e ekspertëve në rajon kanë komentuar mbi gjendjen “dramatike” të punëve në BeH, pas përpjekjeve të dështuara për të zbatuar reformat kushtetuese, dhe si pasojë e marrëdhënieve të tensionuara midis Beogradit dhe Prishtinës për mosrespektimin e targave të mjeteve transportuese në të gjithë territorin e Kosovës.

Deklaratat e tilla lidhur me sigurinë në rajon, profesori i sigurisë, Zlatko Dimovski në një paraqitje televizive tha se padyshim që prekin qytetarët. Sipas tij, efekti i vendosjes së informacioneve të tilla, si ai i “kërkimit të një grupi ilegal që lëvizë nëpër Shkup”, është shpërndarje e frikës dhe rritja e mosbesimit tek çdo qytetar në institucionet përgjegjëse për sigurinë në vend. “Informacioni mbi kërcënimet e reja të sigurisë është ‘i mirëpritur’ për shërbimet e sigurisë që të përgatiten më mirë për sulme të mundshme. Por nëse rezultojnë të pavërteta, atëherë shkaktohet efekti i kundërt. Gjithçka që na paraqitet si gjoja kërcënim, na defokuson nga zhvillimet aktuale politike në rajon. Mendimi im është se çdo vend është në rrezik sigurie dhe çdo vend punon për mbrojtjen e saj kundër sfidave dhe kërcënimeve të tilla. Realisht, ka një shkallë të caktuar të destabilizimit të sigurisë në rajon, por ato nuk janë shprehur në atë masë që të jenë realisht të arritshme. Ka shumë arsye pse po bëhet kjo për momentin, por sigurisht që veprojnë në zvogëlimin e besimit të qytetarëve në institucionet, dhe në këtë mënyrë japin mundësi të mendohet për sigurimin e kushteve për siguri më të mirë personale”, thotë Dimovski.

Në Maqedoninë e Veriut, stabiliteti i brendshëm i vendit dhe situata e sigurisë prej kohësh janë të lidhura me suksesin apo dështimin e fillimit të negociatave dhe anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. (koha.mk)